“Ndikimi i BE-së në Kosovë” është një projekt i implementuar nga Kolegji AAB me mbështetje nga Programi Erasmus+ Jean Monnet Action. Qëllimi i këtij projekti është të krijojë modulin e parë në arsimin e lartë në Kosovë që i dedikohet ndikimit të Bashkimit Evropian në ndërtimin e paqës, pajtimit dhe demokratizimit në Kosovë. Më specifikisht, projekti synon të:
– Krijojë modulin “Ndikimi I BE-së në ndërtimin e paqes, pajtimin dhe demokratizimin në Kosovë“ si një lëndë zgjedhore në Kolegjin AAB e cila do të ofrohet për studentët e fushave të juridikut, adminsitratës publike, shkencave sociale, ekonomisë, dhe psikologjisë.
– Të sigurojë dëshmi të ndikimit të BE-së në ndërtimin e paqes, pajtimin dhe demokratizimin e Kosovës, duke i angazhuar studentët në punë kërkimore vullnetare, për të analizuar politikat (analiza e dokumenteve), praktikat (zbatimi i politikave) dhe përvojat (si ndihen njerëzit dhe komunitetet në lidhje me këto politika).
– Të shpërndajë njohuri në lidhje me ndikimin e BE-së në Kosovë, përmes sesioneve/prezantimeve sensibilizuese të mbajtura nga studentët e modulit në mjedise përtej akademisë (shkolla të mesme) dhe përmes mediave dixhitale dhe tradicionale.
Aktivitetet kryesore të projektit përfshijnë:
1. Krijimi dhe mbajtja e modulit “Ndikimi i BE-së në ndërtimin e paqes, pajtimin dhe demokratizimin në Kosovë” i cili ofrohet si lëndë zgjedhore në vitin e dytë të studimeve për studentët e Fakultetit Juridik, Fakultetit të Administratës Publike, Fakultetiit Ekonomik, Fakultetit të Shkencave Sociale dhe Fakultetit të Psikologjisë. Projekti synon që të paktën 50 studentë të ndjekin këtë modul çdo vit. Ligjëratat do të trajtojnë tema që kanë të bëjnë me ndikimin e BE-së në rehabilitimin e Kosovës pas konfliktit, në fushat si në vijim: Ndërtimi i paqes, pajtimi, dialogu social, demokratizimi, diversiteti dhe gjithëpërfshirja, ngritja e kapaciteteve politike, rindërtimi ekonomik dhe shoqëria civile. Gjithashtu do të ketë ligjërata të hapura plotësuese, ku do të ftohen ekspertë të fushës për të ndarë ekspertizën e tyre. Moduli do të ofrohet për dy semestra (56 orë), për tre vjet.
2. Shkrimi i një raporti hulumtues mbi ndikimin e BE-së në demokratizimin e Kosovës. Hulumtimi do të përfshijë shqyrtim literature dhe kërkime në terren nga studentët, për të analizuar ndikimin e BE-së në Kosovë, në aspektin e politikave (analiza e dokumenteve), praktikës (zbatimit të politikave) dhe përvojës (si ndjehen njerëzit dhe komuniteti për këto politika).
3. Mbajtja e aktiviteteve diseminuese ku studentët do të organizojnë të paktën 30 sesione sensitizuese me maturantët me qëllim ndërgjegjësimin dhe rritjen e interesit të tyre për studimet evropiane.